Sport
Ermir Lenjani kërkohet nga Nantes
Ermir Lenjani mund të ndryshojë skuadër por jo kampionat. Futbollisti i kombëtares shqiptare pëlqehet shumë nga Nantes, që kërkon t’i sigurojë shërbimet e tij në këtë merkato vere. Sipas prestigjiozes franceze L’Equipe, 26-vjecari i lindur në Gjilan, në pamundësi për të gjetur hapësirat e nevojshme në “Stade Rennais”, është gati të provojë një aventurë të re në kampionatin francez. Gjatë fazës së dytë të sezonit të kaluar, Lenjani është aktivizuar në vetëm 3 ndeshje të kampionatit, ndërsa në sfidën hapëse të sezonit të ri në transertë Bastia, që përfundoi 2-1 për vendasit, shqiptari u aktivizua si zëvendësues.
Ndryshe nga cfarë po ndodh me futbollistin e Rennes, në kombëtaren kuqezi Lenjani është ndër më të vlerësuarit, pasi i ka dhënë cilësi skuadrës së De Biasit në fazën sulmuese. Në tre nga katër takimet eliminatore të europianit, është aktivizuar titullar, ndërsa në sfidën me Armeninë u hodh nga De Biasi në pjesën e dytë, duke kontribuar në përmbysjen e rezultatit. Lenjani ka zhvilluar në total 10 ndeshje me Shqipërinë, teksa ka realizuar një gol në barazimin 1-1 me Danimarkën në “Elbasan Arena.”