Sport
Ermir Lenjani në formacionin e javës në Francë
Paraqitja e shkëlqyer e Ermir Lenjani-t në ndeshjen e parë me Nantes i garantoi mbrojtësit shqiptar një vend në ekipin më të mirë të javës në Ligue 1.
Kuqeziu u përfshi në formacionin ideal nga mediat më prestigjoze në Francë. Duke nisur nga e përditshmja më e madhe sportive, “L’Equipe”, që e rreshtoi në krahun e majtë, në një repart difensiv përkrah emrave Thiago Silva i Paris Saint Germain, veterani i Bastia, Squillaci edhe shokun e skuadrës te Nantes, mbrojtësin e djathtë Leo Dubois.
“Liberation”, një tjetër e përditshme e madhe, në formacionin e saj ideal kishte mendim të shumë të ndryshëm nga “L’Equipe”, ndërsa Lenjani ishte një prej pak të përbashkëtave.
Kuqeziu 26-vjeçar ishte mbrojtësi i majtë më i mirë i javës së tretë të kampionatit.
“Brilant me fanellën e Kombëtares shqiptare dhe këtë e provoi vetë Franca. Lenjani nuk luajti për Rennes vitin e kaluar. Papritmas u transferua te armiqtë e Nantes. Ndeshja e parë kundër Reims, aktivizimi i parë si titullar dhe goli i parë. Aspak keq si ambientim”, shkruante gazeta “Liberation”.