Sport
Nantes vazhdon të besojë te Ermir Lenjani
Nantes beson te potenciali i Ermir Lenjanit. Konfirmimi erdhi nga presidenti i klubit të Ligue 1 franceze, Waldemar Kita. Duke folur për merkaton e janarit dhe përforcimet që mund t’i nevojiten ekipit për t’u ngritur në renditje, drejtuesi i klubit theksoi se mbrojtësi shqiptar do të jetë një armë më shumë deri në fund të sezonit.
Kita njoftoi se në janar, klubi do të veprojë në merkato, por vetëm për të afruar një lojtar, i cili do të zëvendësojë të dëmtuarin Valentin Rongier. Sipas presidentit të Nantes, skuadra ka në kontingjent lojtarë të rëndësishëm që nuk po aktivizohen, si Lenjani dhe Gomis.
Deklarata duket edhe si një thirrje për trajnerin Der Zakarian, që e ka larguar 26-vjeçarin të lindur në Gjilan nga formacioni. Ndeshja e fundit ku Lenjani është aktivizuar në kampionat francez ishte ajo e 23 Tetorit të kaluar, ku Nantes fitoi 0-2 në fushën e Caen. Mbrojtësi u aktivizua si zëvendësues në 20 minutat e fundit. Ndërkohë, për të gjetur herën e fundit kur kuqeziu ka zbritur si titullar në fushë, duhet të kthehesh deri më 26 Shtator, në ndeshjen ku Nantes u mposht në shtëpi nga Paris Saint Germain. Plot shtatë javë më parë.
Ndër të tjera, presidenti Kita nuk u shpreh aspak i kënaqur me ecurinë e skuadrës. Ai pret që Nante të vazhdojnë ngjitjen në renditje, ndërsa aktualisht “kanarinat” pozicionohen në vendin e dhjetë në Ligue 1.