Sport
Plas te Partizani/ Trajneri Gega përjashton futbollistin kryesor

Në prag të sfidës që mund të përcaktojë shumë vazhdimësinë e sezonit, asaj ndaj Skënderbeut, klubi i kuq ka vendosur të pezullojë Lorenc Trashin. Largimi i lojtarit në mënyrë të çuditshme pas ndeshjes me Luftëtarin ka bërë që drejtuesit të mos e falin atë.
Mesfushori, një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit prej vitesh, doli i nervozuar nga stadiumi pas fitores kundër Luftëtarit fundjavën e shkuar, duke habitur ata që ishin të pranishëm në ambientet e brendshme të stadiumit.
Nuk u dha asnjë sqarim nga klubi apo trajneri Skënder Gega, por më pas u mësua se Trashi ishte nervoz për faktin se luajti si mesfushor i djathtë në fundin e takimit, me urdhër të trajnerit.
Mbrëmjen e së mërkurës Trashi është takuar me drejtorin e përgjithshëm Olsi Rama, për të diskutuar për këtë situatë, ndërsa nuk dihet çfarë është vendosur, por trajneri Gega e ka pezulluar dhe e ka urdhëruar të stërvitet me Partizanin B për momentin. /CNA.al