Sport
A do të largohet Hysaj nga Napoli?/ Përgjigjen përfundimtare e jep Carlo Ancelotti

Elseid Hysaj luajti mbrëmjen e djeshme si titullar në ndeshjen e Kupës së Italisë, që Napoli zhvilloi dhe fitoi kundër Sasuolos. Hysaj bëri një paraqitje të mirë në takimin e fituar 2-0 nga skuadra e tij, ndërsa pas ndeshjes është vlerësuar me notë pozitive nga mediat italiane.
Në këtë linjë ka qenë dhe trajneri Carlo Ancelotti, që në konferencën për shtyp, ka përshëndetur dhe vlerësuar lojën e mbrojtësit shqiptar. Madje ai u ka dhënë përgjigje edhe zërave të merkatos, që e lidhin Elseid Hysajn me një largim të mundshëm nga Napoli.
“Hysaj bëri një ndeshje përgjithësisht të mirë mbrëmë, pati dhe gabime. Mendoj që situata e tij është menaxhuar mirë. Gjatë një sezoni mund të ketë ulje dhe ngritje. Kam folur me të dhe ai është shprehur se dëshiron të qëndrojë këtu.
Ne kemi respekt për të, ai dhe agjenti i tij mendoj se janë të qetë në tani”-është shprehur ndër të tjera Ancelotti.
Në fakt këto deklarata vijnë në momentin e duhur, pasi futbollisti i kombëtares shqiptare, edhe për shkak të zërave të shtuar të merkatos, ka pasur një sezon me ulje e ngritje deri më tani.