Sport
Ka punuar me Diego Simeonen / Keidi Bare sot i jep një sinjal trajnerit Panucci

Keidi Bare është cilësuar si blerja më e mirë e Malagës këtë sezon dhe mesfushori shqiptar po bën ndeshje shumë të mira. Në një intervistë të tij, 22-vjeçari ka prekur shumë tema, mes të cilave ato për pasaportën greke, idhujt e tij, nofkën dhe jetën me familjen.
“Kam një pasaportë greke. Pa të nuk do të mund të luaja tek Atletico për të paktën dy vite. Familja ime ka jetuar në Greqi dhe vendosa të merrja shtetësinë, pasi është shumë e lehtë për të luajtur në Europë me atë pasaportë”.
“Idhujt e mi janë Modric dhe Iniesta! Dy mesfushorë të shkëlqyer dhe një inspirim për mua. Kur luaja te Atletico, Koke dhe Saul ishin lojtarët që ndiqja, dy lojtarë shumë, shumë cilësorë”.
“Nofka ‘Pitbull’? Ma thonë shpesh këtë. Shokët e mi tek Atletico më thërrasin të gjithë ashtu, ndërsa edhe një pjesë e ekipit këtu. Për mua s’ka rëndësi se si më thërrasin”.
“Unë jam një futbollist gjatë 24 orëve të ditës. Ndonjëherë në shtëpi shikoj filma, por mbetem gjithmonë i fokusuar pas futbollit. Jam i varur nga ky sport, shikoj shumë ndeshje. Jetoj me familjen dhe kjo më ka ndihmuar shumë. Prania e tyre afër meje është shumë e rëndësishme për mua”.
“Po shpresoj që të marr një ftesë nga kombëtarja. Gjithsesi këtë e vendos trajneri. Mua më mbetet të tregoj veten në fushë. Të gjithë kemi dëshirë që të luajmë për kombëtaren”. /CNA.al