Sport
Më mirë fitorja në derbi apo titulli?/ Ja çfarë mendon Gega

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp dhe ka folur natyrisht për derbin e madh kundër Tiranës, sfidë delikate që trajneri i të kuqve mundohet ta trajtojë si një ndeshje normale, si gjithë të tjerat. Gega nuk bën llogari, duke mos pranuar të bëjë analiza afatgjata për titullin kampion.
– Përgatitjet, ku ndryshon një ndeshje derbi nga ndeshjet e tjera?
– Asnjë ndryshim, i njëjti regjim, thjesht punohet në aspekte të ndryshme në varësi të kundërshtarit. Jemi të qetë, nuk kemi probleme fizike dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë.
– Derbi, apo titull?
– Dua ta fitoj derbin, pastaj ka edhe 13 javë, duam edhe kampionatin. Dalim në fushë për fitore, pa bërë plane afatgjata. Historikisht Tirana e Partizani kanë qenë në pozicione të ndryshme, por në fushë kanë qenë ndeshje të mëdha, me shumë ekuilibër.
– A i keni filluar llogaritë, për ndeshjen direkte?
– Unë nuk para bëj llogari. Duam vetëm të marrim maksimumin në derbi, pastaj ka kohë për të tjerat. Shpresojmë të ruajmë ecurinë e këtij sezoni, rëndësi ka që rezultati final të jetë në favorin tonë, nuk ka rëndësi kush shënon i pari.
– Presioni, mbi ju apo Tiranën?
– Historia është histori, nuk është se të ndihmon kur vjen puna te pikët. Kemi kaq kohë që fitojmë derbin, është diçka pozitive, por është e shkuara, nuk ka vlerë për të ardhmen. Presioni është normal, në të dy krahët. Rivalët nuk janë larg, renditja mund të ndryshojë shpejt, për mirë apo për keq, rëndësi ka që të jemi në krye dhe të mos bëjmë gabime.
– Barazimi, u kënaq?
– Asgjë nuk është perfekte, planet ndoshta nuk zbatohen si duhet në fushë dhe në futboll gjithçka mund të ndodhë. Ne kemi grupin, besimin dhe potencialin për të kërkuar maksimumin.
– A parashikohen ndryshime për derbin?
– Nuk besoj se do të bëjmë ndryshime të mëdha, në formacion e vendosje. Vetëm një ose dy orë para ndeshjes vendosim përfundimisht për formacionin.
– A është momenti vendimtar i sezonit?
– Rëndësi ka që pas 13 ndeshjesh të jemi ende në krye, nuk ka rëndësi nëse pikët i marrim ndaj Kukësit apo Luftëtarit.
– Atanda, më mirë në mesfushë apo në mbrojtje?
– Është pjesë e rëndësishme e grupit, këtë vit ka luajtur shumë mirë dhe mund të luajë gjithandej. Për fat, tani kemi një skuadër të kompletuar, i përballojmë mirë mungesat.
– Dy ndeshjet e ardhshme pa tifozë…
– Më vjen keq, sepse 3-4 persona nuk mund të dëmtojnë punën tonë dhe pjesën më të madhe të tifozerisë, që u soll në mënyrë perfekte. Klubi ka mbajtur qëndrimin e vet, unë dua fair-play dhe miqësi, shpresoj që të mos përsëriten më skena si ato në ndeshjen ndaj Flamurtarit. E duam çdo ndeshje me tifozë dhe stadiumin plot. Në derbi do i kemi tifozët, më pas do të mundohemi të përballojmë ndeshjet pa tifozë.
– Batuta e Gjicit, si jeni me gjunjët?
– Drejtori e ka dhënë një përgjigje. Presidentët kanë batutat e tyre, nuk ia vlen të kthehemi pas. Unë shoh punën tonë, i shoh edhe ndeshjet e kundërshtarëve. Nuk lumturohem kur kundërshtarët gabojnë, gjithçka rrotullohet rreth ndeshjeve tona, nëse marrim pikët maksimale aty.