Sport
Edhe pse miqësore/ Nuk mungon tensioni në Tirana-Korabi (Video)

Në vend që një ndeshje miqësore të ishte më paqësore se kurrë në këtë moment, duke pasur parasysh dhunën e ndeshjes Kamza-Laçi, ndodh e kundërta. Tensione dhe në miqësoren mes Tiranës dhe Korabit.
Në minutën e 70-të, Tirana ka fituar një penallti të akorduar nga djali-arbitër, pas një ndërhyrjeje të parregullt në zonë ndaj Halilit. Protesta të forta të lojtarëve të Korabit për këtë vendim. Penallti neto, po ç’rëndësi ka? Edhe nëse vërtet nuk do të ishte penallti, është vetëm një miqësore.
Grent Halili shkon te pika e bardhë dhe gjuan jashtë, për të qetësuar dibranët. Por ky veprim i tij është marrë për keq nga futbollistët e Korabit, të cilët e kanë kapur më pas me sulmuesin e Tiranës. Momente të tjera tensioni, që kalojnë në një farë mënyre dhe loja vazhdon.
Një situatë sa komike, aq edhe për të vënë duart në kokë. Takimi përfundoi në barazim 1-1, me skuadrën bardheblu që kaloi e para në avantazh në pjesën e parë me Tony Maveje në minutën e 20` të takimit. Në të dytën ishin miqtë që barazuan në minutën e 77` me Xhuliano Shukën. /CNA.al