Sport
Ish-golashënuesi i njohur frikëson Barçën/ Ata do të eliminohen në çerekfinalen e Champions League

Ish-sulmuesi i Manchester United, Diego Forlan, beson se “Djajtë e Kuq” përbëjnë shqetësim serioz për Barcelonën dhe Lionel Messin, mund t’i eliminojnë ato në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Skuadra nga “Old Trafford” do të përballet me katalanasit muajin e ardhshëm, pas përmbysjes dramatike kundër PSG, në raundin e dytë të këtij kompeticioni. Të besuarit e Gunnar Solskjaer renditen të pestët në Premier League, por janë “ringjallur” nën drejtimin e trajnerit norvegjez. Barcelona duket në rrugë të mbarë për më shumë se një titull në këtë sezon.
Diego Forlan, i cili fitoi dy trofe gjatë dy viteve të tij në “Old Trafford”, foli për shanset e Manchester United kundër gjigantëve spanjollë: “Do të jetë një ndeshje ndryshe kundër Barcelonës. Manchester United ka një ekip shumë të mirë dhe në futboll nuk e dini kurrë se çfarë ndodh. Muajt e fundit ka zhvilluar ndeshje vërtet të mira, pas një fillimi të vështirë. Në përbërje ka lojtarë mjaft të mirë. Manchester United bën mirë edhe larg shtëpie, siç e tregoi në Paris, ndaj mund të ketë mundësi reale për eliminimin e Barcelonës”. /CNA.al