Sport
Vazhdon situata e tensionuar në Shkodër/ Vllaznia nuk zbret as sot në stërvitje

Pas situatës së fundit në Shkodër, ku Vllaznia ditën e djeshme anuloi seancën stërvitore për shkak se trajner i sapoemëruar Agim Canaj dhe administratori Suad Lici morën kërcënime, kuqeblutë nuk kanë dalë as ditën e sotme për të kryer stërvitjen.
Në fakt klubi duket të jetë i paralizuar dhe nuk dihet se si do të shkojë rrjedha e ngjarjeve pasi tekniku Agim Canaj por edhe administratori Lici kanë paraqitur dorëheqjen pranë Bashkisë së Shkodrës. Ajo çfarë ndodhi ishte se në drejtim të tyre mbërritën kërcënime për të futur në formacion apo për të grumbulluar me ekipin e parë lojtarë nga ekipet e të rinjve.
Ndërkohë kjo nuk është hera e parë që të tilla situata krijohen te Vllaznia teksa dihet tashmë se ambienti në klub është gjithnjë i turbulluar dhe nuk afron qetësinë e nevojshme në stafin teknik. Ndërsa është ende në memorien e opinionit sportiv, incidenti i ish-trajnerit Ernest Gjoka, drejt të cilit u arrit deri në një sulm fizik. /CNA.al