Sport
Shqiptarët paragjykojnë/ Gega: Shpresoj që Tirana…

Vetëm 2 fitore në 8 ndeshjet e fundit mes kampionatit e kupës, Partizani nuk e ka parë kurrë veten në këto pozita këtë sezon, por kreu është i salduar për shkak se Kukësi nuk e ka mbajtur dot ritmin e të kuqve.
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka folur për sfidën e së mërkurës kundër Skënderbeut, një udhëkryq i rëndësishëm, aq më shumë që në fundjavë Partizani do të pushojë, duke marrë në tavolinë pikët me Kamzën.
“Ekipi është i ngarkuar fizikisht, kalendari është i ngjeshur, por nuk kemi ç’bëjmë. Kemi analizuar ndeshjen e fundit, kemi gabuar në një moment jo të përshtatshëm. Megjithatë, ky është futbolli dhe me Skënderbeun do korrigjohemi.
Aludimet – “Varet kush i përflet rezultatet tona. Nëse bëhen analiza teknike, jam gati të ballafaqohem me çdo njeri. Unë e di sa fort ka luftuar klubi dhe ky grup për të arritur këtu. Ne paragjykojmë edhe kampionatet e huaja, jo më Superioren, në Shqipëri është problem kjo pjesë. Ne njohim veten dhe respektojmë veten. Lojtarët janë profesionistë, janë edhe 8 ndeshje dhe shohim punën tonë.
Momenti jo – “Ne kemi treguar se dimë të reagojmë edhe pas humbjeve. Ndoshta humbja e fundit erdhi edhe si pasojë e humbjes së Kukësit ndaj Kastriotit, nuk mohohet që rezultatet e rivalit ndikojnë. Gjithsesi, shohim përpara, do mundohemi të korrigjohemi.
Përgjegjësitë – “Mua më takon të marr përgjegjësitë, për çdo situatë, kujt tjetër i takon?
Një fitore në 6 ndeshjet e fundit – “Duket si minikrizë nga dy humbjet në kupë. Është një moment i vështirë, por duhet të dimë ta kalojmë, e kemi eksperiencën.
Freskia fizike – “Do e shohim në lojë kush është më i freskët, ne apo Skënderbeu. Ne kemi pasur shumë dëmtime, do mundohemi ta freskojë skuadrën. Skënderbeu ka pasur pushim, por ata e dinë a ka qenë për mirë a keq.
Bardhi dhe Hebaj -” Vendosim një orë para ndeshjes. Bardhi është më mirë, Hebaj po kryen terapi.
Atanda – “Ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, në çdo rol ku ka luajtur. Kam lexuar shumë komente e opinione, nuk gabon vetëm ai, gabon gjithë ekipi. Të gjithë gabojnë, nga Alban Hoxha deri në sulm. Kur erdha te Partizani e gjeta Atandën me valixhe në dorë, tani është lojtar kyç.
Finalja e radhës – “Nuk është finale e madhe me Skënderbeun, janë të gjithë finale. Edhe nëse fitojmë, edhe nëse fitonim ndaj Luftëtarit, sërish mbeten shumë ndeshje, të gjitha finale.
Derbi – “Dua që të kemi gjithnjë derbi, është ndeshje e veçantë. Uroj të jetë Tirana në elitë, të kthehen edhe klubet e traditës, Lushnja, Elbasani, e të tjerat”.