Sport
Shpërthen ylli i Juves/ Ata janë idiotë, larg nga stadiumet!

Emre Can është bashkuar me korin e lojtarëve, që e kundërshtojnë fort racizmin në futboll, i shfaqur ditët e fundit edhe në Itali. Ai i ka etiketuar autorët si idiotë. Aktet raciste nga tifozët janë bërë shqetësues në të gjithë Europën, ndërsa Mali i Zi përballet me një akuzë të tillë nga UEFA, pasi Raheem Sterling dhe disa bashkëlojtarët e tij ishin në shënjestër të tifozëve kundërshtarë, gjatë fitores 5-1, në kualifikuesen e “Euro 2020”, muajin e kaluar.
Një nga shokët e ekipit të Can, i riu Moise Kean, u sulmua për ngjyrën nga tifozët e Cagliarit. Kjo ndodhi në fitoren 2-0 të Serie A, ku ai shënoi një gol në fund. “Raste racizmi në futboll po ndodhin në të gjithë botën, – tha gjermani me “rrënjë” turke për DAZN. – Për mua, kjo është e trishtueshme. Ndiej vërtet keqardhje.
Nuk ka rëndësi si dukeni, prej nga vini, çfarë feje praktikoni, as ngjyra e lëkurës. Ne jemi të gjithë qenie njerëzore. Kushdo që nuk e respekton këtë, është një idiot dhe duhet të qëndrojë larg nga stadiumet e futbollit, edhe nga shoqëria jonë. Është për të ardhur keq që ky problem nuk po mund të zgjidhet, ndaj mendoj se secili prej nesh duhet të marrë pjesë në luftën kundër racizmit”, u shpreh Can. /CNA.al