Sport
Shokohet Milani/ Në prag të supersfidës ndaj Lazios

Portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, nuk pritet të rikuperohet në kohë për ndeshjen e kuqezinjve kundër Lazios, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë.
Milani do të presë Lazion në “San Siro”, të shtunën në orën 20:30. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për javën e 32-të të Serisë A.
Gianluigi Donnarumma i është kthyer stërvitjeve me Milanin, pasi ishte lënduar në ndeshjen kundër Udineses. Ai nuk kishte mundur të ecte mirë për shkak të problemeve muskulore në këmbë.
Megjithatë, në ditën e dytë të stërvitjeve, ai nuk mori pjesë në stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës së Milanit, por ushtroi i vetëm.
Në mënyrë që të mos ia përkeqësojnë gjendjen portierit italian, Milani ka vendosur që Donnarumma të kthehet dalëngadalë në skuadër. Deri sa të shërohet plotësisht, vendin e tij do ta mbajë Pepe Reina.
Ndeshja mes Milanit dhe Lazios është shumë e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi të dyja janë në luftë për vendin e katërt në tabelën e Serisë A, e cila e siguron edhe kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. /CNA.al