Sport
Vllaznia lëshon dorën/ Zbulohet rroga mujore e trajnerit të ri

Tekniku i ri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka nënshkruar dje një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi nëse do të arrijë objektivat që ka klubi. “Panorama Sport” raporton se trajneri do të përfitojë një pagë prej 3 mijë eurosh në muaj dhe do të ketë bonus 1 mijë euro për çdo fitore në kampionat.
Minimalja që i është kërkuar teknikut të ri është që Vllaznia pas fundit të sezonit të ri, të jetë një nga skuadrat shqiptare që do të marrë pjesë në Kupat e Europës. Kjo do të sjellë edhe një rinovim automatik të kontratës, por edhe një premio prej 5 mijë eurosh për teknikun maqedonas.
Një gjë të tillë e ka cituar edhe vetë administratori Lici gjatë prezantimit të Jonuz. “Me trajnerin e ri jemi të vendosur për të bërë gjëra të mira. Objektivat e klubit do jenë më të larta këtë herë dhe kjo është e reflektuar edhe në disa pika të kontratës që ne firmosëm me Jonuz.) Në rast se ekipi do dalë në Kupat e Europës, trajneri do të përfitojë një shpërblim prej 5 mijë eurosh, ndërsa nëse skuadra shpallet kampione, shpërblimi do të jetë 15 mijë euro.) Këto shifra nuk janë venë kot, por ngaqë besojmë se do të ndërtojmë një skuadër dinjitoze për sezonin e ri”, ka thënë mes të tjerash administratori Suad Lici.