Kombëtare
Strakosha i madh nuk është i kënaqur me të birin, ja çfarë note i vendos

Fitorja e Shqipërisë për ballë Islandës në “Elbasan Arena”, me rezultatin 4-2, erdhi pikërisht në momentin e duhur, duke qenë se skuadra kuqezi vinte pas asaj humbjeje të thellë me Francën, ku nuk munguan as kritikat për trajnerin dhe lojtarët.
Ndaj, kjo fitore, përpos mundësisë që u jep kuqezinjve për të shpresuar ende te kualifikimi, u ka shërbyer shumë edhe në anën morale. Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, legjenda e portës shqiptare, Foto Strakosha. Ai thekson se i pa lojtarët të trembur në veprimet e tyre. “Ishte një fitore që më tepër të kënaq nga ana psikologjike për djemtë, sepse nëse do ta vinim re, ishin pak edhe të stresuar dhe disi të trembur në veprimet e tyre”, u shpreh fillimisht ish-kapiteni i kuqezinjve.
PORTIERI
Nuk mund të mos “ngacmohej” edhe për të dhënë një opinion për të birin e tij në Kombëtare, Tomas Strakoshën, i cili pësoi dy gola ndaj Islandës, por gjithsesi në fund Shqipëria fitoi. Fakt ky që mund të bënte të harroheshin edhe gabimet, por jo për një si Foto Strakosha, i cili nuk kënaqet lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për të birin. Sipas tij, Tomas nuk e ka bërë mirë detyrën e tij, duke e bërë fajtor po aq sa i gjithë ekipi për çdo gol të pësuar.
“Nota për Tomas? Çfarë note? Nuk e bëri mirë detyrën, pësoi dy gola. Çfarë t’i jap? Edhe ai ka fajin, ashtu si i gjithë ekipi, edhe pse ju thoni që nuk ishte faji i tij në golat e pësuar”, pohoi Foto Strakosha, i cili kërkon t’i mbajë me “këmbë në tokë” të gjithë ata që i gëzohen kësaj fitoreje, sidomos djalin e tij, i cili luan me Lacion në Serinë A dhe mbron katërkëndëshin e portës kuqezi, si ai në të kaluarën.