Sport
Plas te Partizani, drejtuesit marrin vendim për trajnerin Lerda

Barazimi në shtëpi me Bylisin ka vënë shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e trajnerit të Partizanit Franko Lerda. Që situata nuk është nën kontrollin e trajnerit italian, u pa edhe gjatë ditës së djeshme ndaj Bylisit, ku Lerda shpeshherë u ankua për paraqitjen e skuadrës në fushë, pasi gabimet e lojtarëve ishin të shumta.
Pakënaqësinë trajneri u mundua t’ia shpjegojë pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit Cjapi edhe drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama, i cili ndodhej në hyrje të tunelit të dhomave të zhveshjes.
Humbja me Laçin dhe barazimi i djeshëm me Bylisin ka bërë që të ngushtohet laku për trajnerin italian. “Panorama Sport” ka mësuar se e ardhmja e Lerdës në krye të pankinës së kuqe varet nga derbi, ku veç fitorja me Tiranën e mban në detyrë. Drejtuesit janë totalisht të pakënaqur me ecurinë e skuadrës dhe në të tilla raste ai që rrezikon më shumë është trajneri.
Gazeta ka mësuar se drejtuesit e kanë shoshitur mes tyre situatën e fundit te “demat” dhe kanë vendosur një kusht të ri për Franko Lerdën. Që italiani të mbetet trajneri i Partizanit duhet të fitojë derbin, pasi as barazimi nuk e shpëton. Kjo është situata pas barazimit, por e shkuara ka treguar se drejtuesit mund të ndryshojnë trajektore, duke mos e çuar situatën deri në derbi.
MËRZIA E RAMËS – Drejtori Olsi Rama e ka përjetuar keq barazimin e djeshëm, pasi ka qenë ai që ka vendosur në fillim të sezonit për ndryshimet në ekip. “Panorama Sport” u mundua t’i merrte drejtorit një prononcim për situatën te “demat”, por Rama i pafjalë u largua nga stadiumi. Madje, aq i mërzitur ishte pas ndeshjes, sa u largua i vetëm në këmbë, duke marrë rrugën nga “Komuna e Parisit”. Pa dyshim në kampin e kuq është një periudhë meditimi, ku nga vendimi i drejtuesve varet e ardhmja e trajnerit dhe ecuria e skuadrës.
Lajme të Rekomanduara:

Pritja e De Biazit merr fund, ish-trajneri i kombëtares gati të marrë në drejtim ekipin e Serisë A
Xhani De Biazi kthehet përsëri mes kandidatëve për të marrë drejtimin e një klubi në Serinë A. Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare ka qenë sot në...

Skandali në Maqedoni, tifozët e Vardarit bëjnë gjestin e turpshëm ndaj shqiptarëve
Shkëndija e Ernest Gjokës barazoi me rezultatin 2-2 në transfertë ndaj kryesuesve të Vardarit në “derbin” që prodhon gjithmonë polemika. Si në çdo sfidë, edhe kësaj...