Sport
Plas te Tirana, Ngo sherr me dy të rinj dhe tërbon trajnerin Ahmataj

Majkëll Ngo bëhet protagonist në stërvitje. Edhe këtë herë duke treguar nervin e tij sportiv, por duke e kaluar sërish masën. Gjatë ndeshjes brenda grupit mes formacionit titullar dhe rezervave, Majkëll Ngo, që njihet si një nga ata që lufton për çdo top, është përplasur dje me dy lojtarë nga ekipi i dytë. Si fillim ka përplasur në tokë Eldis Krajën.
Lojtari është rrëzuar dhe pas ndërhyrjes së Julian Ahmatajt ai është çuar në këmbë. Trajneri e ka këshilluar Ngonë që të mos e përsërisë më veprimin, ndërsa anglezi ka bërë me shenjë se kundërshtari e ka mbajtur me duar prej fanelle.
Nuk ka kaluar shumë dhe Ngo është përplasur edhe me Alban Çejkun. Mesfushori ka rënë në tokë dhe mezi është ngritur. Në këtë moment, Ahmataj i ka shkuar pranë Ngosë dhe e ka këshilluar që të mos luajë më fort, në të kundërt do ta përjashtojë nga stërvitja. Menjëherë pas këshillës së Ahmatajt, sulmuesi ka ulur ritmin e lojës.
Edhe pse anglezi nuk i ka bërë veprimet me dashje, loja ka qenë e rrezikshme dhe mund të dëmtonte ndonjë prej lojtarëve të rinj. Për më tepër që Ngoja ka histori të vjetra me përplasjet në stërvitje.