Sport
Jonuz te Partizani? Ja si përgjigjet trajneri i Vllaznisë

Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz beson se skuadra e tij mund të arrijë të fitojë nesër në Shkodër ndaj kryesuesve të kampionatit Kukësit. Në konferencën e radhës për shtyp në prag të sfidës së nesërme në orën 13:00, tekniku maqedonas kërkon që tifozët shkodranë të dalin në mbështetje të plotë për ekipin.
Ai analizoi dhe ecurinë e ekipit të tij në takimet e fundit si dhe nevojën për të fituar në “Loro Boriçi”.
Klima në skuadër pas fitores me Skënderbeun – Mund të them se situata është shumë e mirë. Kemi marrë shtatë pikë në tre përballjet e fundit duke përfshirë edhe Teutën. Tani ne duhet që të përqendrohemi tek takimi i nesërm ndaj Kukësit. Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Do të luajmë me një ekip shumë të mirë, me lojtarë shumë të mirë. Ne duhet që të luajmë shumë seriozisht ndaj kësaj skuadre. Para se të futemi për të luajtur këtë takim duhet që të harrojmë çdo gjë. Vetëm të përqendrohemi tek kjo skuadër.
Opinioni për Kukësin – Çfarë mund të them për këtë skuadër? Kemi zhvilluar edhe një takim me këtë skuadër në Elbasan. I njoh të gjithë lojtarët dhe të gjithë kualitetet që ka. Mund të kenë ndonjë mungesë. Por, unë njoh mirë se si e qarkullojnë topin, se si luajnë ato. Megjithatë mund të them se edhe skuadra jonë është shumë e fortë. Kam folur edhe me lojtarët që të japim maksimumin dhe ta shijojnë këtë takim.
Gjykimi për ekipin e tij – Për Vllazninë thjesht dua t’i uroj lojtarët e mi për atë çfarë kanë dhënë. Një problem që kemi tani dihet mungesa e Hygorit. Por, po mundohemi që të aktivizojmë lojtarët e tjerë dhe të marrim më të mirën prej tyre. Orari i takimit të nesërm mund të mos jetë i mirë për tifozët tanë, por për lojtarët është një orar i përshtatshëm, për më tepër se edhe koha është e mirë. Edhe stërvitjen e kemi zhvilluar në atë orë. Po ashtu i bëj sërisht thirrje tifozëve për të na ndjekur.
Vështirësia për të fituar në shtëpi – Ne besojmë për të arritur tek më e mira. Duke shikuar edhe klasifikimin e ekipeve gjithçka është e hapur. Një fitore të ngre dhe një humbje të zbret në rrenditje. Nga Skënderbeu tek Kukësi në krye diferencat janë të vogla. Ne duhet që ta fitojmë këtë takim. Kemi një shans shumë të mirë dhe kjo do të na ndihmojë që të mbyllim këtë pjesë të sezonit në një pozicion të kënaqshëm. Në momentin që ne marrim nesër 3 pikë edhe skuadra do ta ketë më te thjeshtë edhe me Partizanin.
Barazimi me verilindorët kënaq Vllazninë – Për mua është shumë e rëndësishme që të luajmë mirë, të luajmë mirë taktikisht dhe pse jo të besojmë për një fitore.
Ndërkohë, Jonuzi hodhi poshtë zërat se është kontaktuar nga Partizani për të marrë drejtimin e kampionëve të Shqipërisë. Ndërkohë, ai konfirmoi se do të vazhdojë të luftojë bashkë me lojtarët e Vllaznisë për të realizuar një sezon sa më të mirë.
Oferta nga Partizani – Unë kam nisur një projekt serioz në Shkodër. Pavarësisht problemeve që kemi patur, kemi arritur që të gjithë sëbashku t’ia dalim dhe do të vazhdojmë që të dalim sërish me sukses deri në fund.
Kontakte me të kuqtë – Unë nuk kam informacion dhe asnjë kontakt direkt për këtë.