Sport
“Çmendet” Jonuz: Dua 10 futbollistë te Vllaznia në merkaton e janarit

Në prag të transfertës me Partizanin, Vllaznia është grumbulluar dhe skuadra pritet që të jetë më e plotë për këtë takim delikat. Trajneri Mirsad Jonuz pritet që ta ketë skuadrën më të plotë dhe këtë e ka theksuare dhe në konferencën e sotme për mediat, ku Jonuz ka thënë mes të tjerave, se e respektin, por nuk e ka frikë skuadrën e kuqe…
“Jemi më të plotë, pasi edhe Ualusimibi është gati pasi e kaloi dënimin, u kemi folur shumë lojtarëve për Partizanin, synimet dhe kualitete që ka dhe pas ndeshjes me Kukësin që ne humbëm, duhet që të mendojmë vetëm për sfidën e radhës, për të dalë me rezultat pozitiv, – tha trajneri Jonuz.
“Besoj te skuadra dhe lojtarët që kam në dispozicion. Dua pikë dhe sa herë që ja kam kërkuar djemve,e ma kanë plotësuar dëshirën. Këtë dua edhe në këtë takim. Ishalla marrim pikë, por fitorja natyrisht që do të ishte akoma më mirë. Le të shpresojmë, duke bërë një lojë të mirë dhe të zbatojmë porositë e lëna në stërvitje”.
Partizani ka mungesa, por Jonuz flet edhe për emrat që ka kundërshtari: “I njoh mirë, Partizani është një ekip me kualitete dhe shumë lojtarë me eksperiencë. Nuk është se do t’u prishin punë mungesat. Nëse nuk kanë Boldorin është Bitri, apo Çinari dhe Asani që janë shumë lojtarë me cilësisë në ofensivë”.
Në listën e skuadrës së Vllaznisë kanë dalë emrat e parë që synohen në merkato. Sipas trajnerit Jonuz: “Po, kam dhjetë emra në listë dhe jo dy… Kam menduar për ato që mund të bëhen dhe alternativat. Shpresoj që në merkato të na ci mirë dhe të jemi më kompetitivë në pjesën e dytë të garës. Atëherë skuadra do të ketë synime më të qarta, për të shkuar aty ku duan drejtuesit”, – tha trajneri Mirsad Jonuz në fund të prononcimit në konferencën për shtyp ditën e sotme.