Sport
Memushajn e përjashtojnë nga ekipi, kjo është arsyeja

Ledian Memushaj është lënë jashtë skuadrës te Peskara për ndeshjen e sotme kundër Kievos. Shkak për këtë ndëshkim është bërë një përplasje verbale mes mesfushorit të Kombëtares shqiptare dhe trajnerit Luçiano Zauri. Peskara mundi Livornon e Tramexanit me rezultatin e pastër 2-0, por vlonjati u urdhërua të linte fushën në minutën e 82-të, pasi trajneri mendoi për zëvendësim.
Mediat italiane raportojnë se Memushaj është shprehur i pakënaqur dhe i ka kërkuar llogari trajnerit për 6 zëvendësimet e këtij sezoni. Zauri nuk e ka toleruar reagimin e mesfushorit shqiptar dhe i ka kërkuar që të ketë më shumë respekt për shokët, pasi edhe ata dëshirojnë që të luajnë.
Zauri i ka vënë në dukje Memushajt se zgjedhjet janë e drejtë ekskluzive e tij. Ndërkaq, një ditë më pas, media italiane raportonte se Memushaj nuk është grumbulluar fare për ndeshjen kundër Kievos, sot në orën 12:00. 33-vjeçari Memushaj ka luajtur 16 ndeshje këtë sezon, ka shënuar 2 gola në Serinë B dhe është ndëshkuar tri herë me karton të verdhë.
Peskara renditet aktualisht në vendin e 10-të me 25 pikë, një më pak se Salernitana e vendit të tetë, pozicion që të jep mundësinë të luash për “play of”. Ka shumë të ngjarë që pas përplasjes së fundit me trajnerin, Memushaj të mendojë edhe për një destinacion tjetër gjatë janarit, duke qenë se deri tani ofertat në adresë të vlonjatit nuk kanë munguar.