Sport
Takaj: Jashanica qëndron te Skënderbeu, ja plani që kemi për merkaton

Nis merkatoja në Korçë, Skënder beu blindon Bajram Jashanicën. Mbrojtësi do të mbetet i bardhekuqve edhe për një tjetër sezon. Edhe pse kontrata i mbaronte në muajin maj, klubi ka nxituar që t’ia zgjasë marrëveshjen që tani për edicionin 2020-2021. Parimisht është arritur akordi, e megjithatë që të formalizohet gjithçka duhet edhe firma.
Burime të sigurta për “Panorama Sport” konfirmojnë se kosovarit do t’i dërgohet marrëveshja me faks gjatë ditës së sotme. Me këtë lëvizje, Skënderbeu shuan shpresat e disa klubeve. Që pasi u mor vesh se lojtarit do t’i mbaronte pezullimi i dhënë nga UEGA në muajin shkurt, ishin të shumta ekipet që donin ta rrëmbenin. Gjithsesi, korçarët janë treguar më të shpejtë. Në klub e quajnë si një “blerje” të madha, derisa vlerat e tij në prapavijë janë të padiskutueshme.
KONFIRMIMI
Rinovimin e Bajram Jashanicës e ka konfirmuar për gazetën edhe presidenti. Në një deklaratë të shkurtër, Ardjan Takaj sqaron se merkatoja nis pikërisht me mbrojtësin. “Jemi duke punuar për të ndërtuar një ekip të fortë në pjesën e mbetur të kampionatit. Gjithçka do të nisë me rinovimin e Bajram Jashanicës. Ai është një lojtar mjaft i rëndësishëm për ne dhe rikthimi i tij në fushë është një lajm i madh. Mund të them se me këtë lojtar, Skënderbeu fiton shumë. Jo vetëm në eksperiencë, por edhe në cilësi. Mund të konfirmoj se kemi arritur akordin për të rinovuar. Lojtari do të nënshkruajë për një tjetër sezon me ne, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të zgjatet në vazhdim”, kështu u shpreh fillimisht numri një i bardhekuqve.
PLANET
Me rikonfirmimin e teknikut në stol, Takaj është gati që t’i plotësojë edhe një dëshirë. Trajneri pati thënë që nuk do afrime sa për numër, por kualitete. Dhe duket se në të njëjtën linjë është edhe i pari i bardhekuqve. “Po shikojmë çdo mundësi për të forcuar Skënderbeun. Normalisht që kemi nevojë për të rritur forcën e ekipit dhe ne do të angazhohemi maksimalisht që të bëjmë më të mirën. Kemi biseduar bashkërisht me trajnerin dhe stafin e tij dhe kemi vendosur tashmë se ku duhet të lëvizim.