Premier Liga
Ideja e çmendur/ Man. United i ofron Pogban Interit në këmbim të yllit zikaltër

Manchester United po punon në merkaton e janarit dhe kërkon të forcojë skuadrën. Ndërkohë, objektiv mbetet të sigurohet edhe futbollistë për merkaton e verës duke qenë se drejtuesit janë të bindur se në janar nuk mund të bësh goditje të mëdha. Objektiv i “Djajve të kuq” duket se është bërë Lautaro Martinez.
Sulmuesi argjentinas i Interit po tregon një formë të mirë dhe cilësi të larta duke u kthyer në protagonist te skuadra zikaltër. Kështu, nga Anglia vjen lajmi se United ka shprehur interesimin për Lautaron dhe i ka ofruar Interit dhe një ofertë për ta bindur duke përfshirë futbollist në këtë mes.
Paul Pogba është mesfushori që mund të përfshihet në operacion për të kaluar në “San Siro” në rast se Interi pranon të largojë Lautaron. Fakti që Pogba po kërkon një aventurë të re dhe po bie shpesh pre e dëmtimeve, ka bërë që drejtuesi të mendojnë një zgjidhje nga e cila mund të përfitojnë diçka. Nëse palët bien dakord, transferimi mund të bëhet në verën e këtij viti.