Connect with Us

Gjithçka drejt përfundimit/ Shtëpia e re e Partizanit, një mrekulli sportive në periferi të Tiranës

Sport

Gjithçka drejt përfundimit/ Shtëpia e re e Partizanit, një mrekulli sportive në periferi të Tiranës

Publikuar

-

Kompleksi i Partizanit, një mrekulli sportive 10 mln euroshe në verilindje të Tiranës

Në katin e dytë të një ndërtese 13-katëshe pranë “Stacionit të Trenit”, ka prej vitesh zyrat klubi i njohur i Partizanit. Thuajse në të gjitha faqet e mureve përjetësohen legjendat e futbollit të skuadrës së kuqe, që nga fillimet e veta si klub më 1946 e deri në fund të sezonit të shkuar, ku Partizani ngriti lart trofeun e kampionatit, një trofe që vinte pas 26 vjetësh pritje (që nga 1993). Ç’është e vërteta, asnjë klub tjetër sportiv në Shqipëri nuk ka njohur lavdinë e Partizanit. Disiplina ushtarake dhe fama, por edhe kompleksi i vjetër, duken si kohë e kaluar, sepse Partizani i tanishëm është ndoshta avangardë e klubeve shqiptare për t’u përshtatur në ekonominë e tregut e madje totalisht klub privat. Presidenti Gazment Demi e mori klubin vetëm si stemë, por tani, pas 6 vitesh, të kuqtë mund të krenohen se janë në majë, një punë kolosale që pritet të kurorëzohet me një trofe akoma më të madh se titulli, sikurse është kompleksi i ri i Partizanit.

Nëse punimet ecin sipas parashikimeve, në fund të marsit Partizani mund të zhvillojë ndeshjen e parë të tij në kompleksin e ri sportiv, i vlerësuar që tani të jetë një prej më modernëve në Ballkan. I përmban të gjitha: stadiumi, fushat stërvitore, hoteli akomodues, palestrat, ambientet ndihmëse, parkingu gjigant, muzeu i çmuar i klubit dhe shumë funksione të tjera, që do të sjellin një dimension të ri zhvillimi jo vetëm sportiv në këndin verilindor të qytetit të Tiranës, por edhe për vetë zonën. I ndërtuar në Tufinë, në truallin e një reparti ushtarak, kompleksi i ri sportiv “Partizani” do të regjistrojë një etapë të re zhvillimi dhe një ridimensionim në terma sportivë për një prej klubeve ikonë të sportit shqiptar. Gazeta “Sot” sjell sot për lexuesit punën që po bëhet në kompleks, si dhe qëndrimin e zyrtarëve të Partizanit mbi kapacitetin, kostot, cilësinë dhe padyshim bërjen e këtij klubi famoz në Shqipëri me shtëpi të re, një dëshirë që u jetësua, siç thamë, nga presidenti i klubit, Gazment Demi. Vetë skuadra ndodhet në Turqi, në fazë përgatitore, udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, si dhe nën urdhrat e trajnerit italian Adolfo Sormani. Në zyrat e klubit na pret zëdhënësi i shtypit, Olsi Ranxhi, si dhe sekretari i përgjithshëm, Gerald Burba. Ata shprehen me nota optimiste rreth kompleksit, që do t’i hapë Partizanit dritare të reja suksesi.

Kapaciteti i stadiumit dhe kosto e kompleksit, gjithçka sipas planit

Puna për përfundimin e kompleksit vijon dhe besohet se në fund të marsit do të jetë gati. Sipas sekretarit të përgjithshëm, Gerald Burba, stadiumi i Partizanit, aty ku do të zhvillojë ndeshjet e veta skuadra e kuqe, do të ketë një kapacitet 4 deri në 4.5 mijë vetë. “Ky impiant ka dy tribuna, që do të jenë të mbuluara, si dhe një vend për tifozët miq me kapacitet 250-500 ulëse. Edhe pse me kapacitet të vogël, stadiumi do të jetë i parametrave të UEFA-s dhe ne do të luajmë aty edhe ndeshje të caktuara paraeliminatore në kupat e Europës”, thotë Burba. Më tej flitet për detaje më interesante, që kanë të bëjnë me akomodimin e medias, transmetimet televizive dhe padyshim sallat ndihmëse. “Në bazë të projektit, sipas standardit europian, do të ketë vendet e posaçme për kamerat që transmetojnë ndeshjet. Stadiumi do të ketë, gjithashtu, tribunë të posaçme për mediat që pasqyrojnë ndeshjet, salla për transmetimin live të ndeshjeve etj”, thonë njëzëri Ranxhi e Burba. Është e qartë, ky është një investim gjigant i presidentit Gazment Demi dhe sipas zyrtarëve të klubit, kosto e kompleksit arrin afro 10 mln euro, një investim kolosal sportiv në këtë pjesë të Tiranës, por që do të ketë emrin domethënës “Partizani”.

Gazmend Demi, e mori si stemë dhe e ktheu tek titulli

Gjithçka e mirë e ndodhur me Partizanin gjatë këtyre viteve lidhet me presidentin Gaz Demi. Duket ironike por kur Demi e ngjiti Partizanin në elitë dhe premtoi se Tirana nuk do të fitonte me Partizanin në 5 vitet e ardhshme, parashikimi i tij u bë realitet, pasi, që nga viti 2014, Tirana arriti të fitonte një derbi vetëm disa javë më parë (2-1 në “Air Stadium Albania”). Qeveria dhe pushteti vendor i dhanë Partizanit leje të ndërtonte një kompleks sportiv dhe pas dy premtimeve të para madhore, që hidhte në “tapet” Tiranën e siguronte titullin, Demi po ia del të bëjë premtimin më të madh të tij tek Partizani, ndërtimin e shtëpisë së re të “demave”. Këto janë fakte që lidhen me historinë e Partizanit gjatë këtyre viteve të fundit.

Olsi Rama, drejtori që përpiqet të mbajë Partizanin larg politikës

Partizani ka prej afro dy vitesh drejtor të përgjithshëm, Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Me të shkuar sportive, Olsi Rama është përpjekur të ndërtojë profilin e tij si drejtor i Partizanit larg politikës së ditës, politikë e cila në Shqipëri ka qenë shpesh përbaltëse. Duke u fokusuar tek skuadra, klubi dhe aspektet sportive, Rama ia ka dalë të mbajë Partizanin larg “shigjetave” partiake që ngrenë krye sa herë Partizani zbret në fushë me rivalët e tij. E për këtë ka merita që ia njohin dhe klubet kundërshtare të Partizanit. Së dyti, me drejtor Olsi Ramën, Partizani po njeh një filozofi profesioniste në menaxhim, të bazuar kryesisht në shkollën futbollistike italiane, gjë që e dëshmojnë lëvizjet në staf, menaxhimi i kujdesshëm i lojtarëve në treg etj. Dyshja Demi-Rama, mund të na kujtojë për kushtet e futbollit tonë, pa e tepruar, dyshen e famshme të Milanit, Berluskoni-Galiani.

2.”Partizani”, nga më modernët në Ballkan, në fund të marsit “demat” me shtëpi të re

3 fusha me standarde të UEFA-s, palestër, hotel dhe muze – një botë “demash” në Tufinë

Një kompleks ultramodern dhe nga më të mirët në Ballkan

Kompleksi që ka kushtuar afro 10 mln euro, do të jetë i parametrave ndërkombëtar dhe në varësi të standardeve që ka në çdo element, do të marrë në muajt në vijim edhe certifikimin nga UEFA dhe FIFA. Dhe Partizani mund të luajë ndeshjet e tij europiane në këtë impiant duke nisur nga edicioni i ardhshëm. “Në këtë moment që flasim, – shprehet zëdhënësi për shtyp Olsi Ranxhi, – Partizani paguan për çdo gjë. Me ndërtimin e kompleksit të ri, klubi do të ketë shtëpinë e tij. Dhe kjo do të sjellë që Partizani të mos paguajë më qera nga ekipi i parë e deri tek ekipet zinxhirë, për ndeshjet dhe stërvitjet. Aty do të jenë edhe Partizani i madh, edhe Partizani B dhe të gjitha skuadrat e akademisë. Kjo do të jetë shtëpia jonë e re”.

Kompleksi i ri “Partizani” është një vepër madhore sportive, padiskutim, ku do të gjejë strehëzën një prej klubeve që ka shkruar historinë e sportit shqiptar. Referuar fjalëve të sekretarit Burba dhe zëdhënësit Ranxhi, kompleksi nuk përfshin vetëm stadiumin ku do të luhen ndeshjet, pasi krahas tij do të ketë dy fusha stërvitore me përmasa dhe cilësi të standardeve ndërkombëtare. Në të vërtetë puna për këto dy fusha do të vijojë, pasi vëmendja kryesore momentalisht është tek stadiumi dhe fusha e tij kryesore, pasi i shërbejnë skuadrës së parë. Pra, në total janë tri fusha të mëdha, të parametrave të UEFA-s, që besohet se mjaftojnë për ndeshjet dhe stërvitjen e ekipit të parë, Partizanit B si dhe moshave. Krahas tyre, do të ketë edhe një fushë tenisi, si dhe dy minifusha futbolli, që do të shërbejnë për stërvitje dhe argëtim. Sigurisht, vëmendjen kryesore e ka stadiumi dhe ambienti ndihmës (hoteli) ku do të akomodohet skuadra. Në nëntokë do të jetë palestra dhe sauna, por në këtë ndërtesë është planifikuar të ketë një restorant, një bar, si dhe një sallë konferencash. Pikërisht tek hoteli parashikohet të ngrihet edhe muzeu i klubit të Partizanit, si dëshmi e një historie plot pasion sportiv nga një klub që ka vendin e tij në historinë e sportit tonë. Sipas Burbës dhe Ranxhit, gjithçka e Partizanit në muajt në vijim do të akomodohet brenda këtij kompleksi, duke nisur nga akademia e kuqe, me ekipet e saj zinxhirë, e deri tek skuadra e madhe dhe stafet drejtuese të tyre. “Pas mbylljes së punimeve në kompleks, Partizani nuk do të jetë më rrugëve, por do të ketë shtëpinë e tij, do të menaxhojë më mirë asetet e tij dhe organizimi apo menaxhimi do të jenë shumë herë më të mira”, nënvizoi zëdhënësi për shtyp, Ranxhi.

Licensimi nga UEFA dhe raporti me tifozerinë

Klubi i kuq është i ndërgjegjshëm për përmasën, raportin me skuadrën dhe njëherësh rëndësinë që ka tifozeria e Partizanit, e cila, siç dihet, nuk është vetëm në qytetin e Tiranës, por e shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Referuar fjalëve të sekretarit Burba, tifozeria e kuqe mezi e pret fundin e punimeve dhe vënien në funksion të kësaj vepre sportive nga më cilësoret në Ballkan dhe që i jep një herë e mirë drejtim ardhmërisë së Partizanit. Klubi ka menduar për tifozët në detaje, përderisa Burba dhe Ranxhi japin të dhënat nga projekti që tashmë po finalizohet. Është menduar edhe “largësia” e pretenduar e impiantit nga qendra e Tiranës, por zyrtarët e klubit thonë se autobusët do të kenë mundësinë të futen brenda kompleksit, ndërsa është në shërbim një prej parkingjeve më të mëdha në kryeqytet. “Kompleksi do të ketë një parking gjigant, si dhe rrugë që lejojnë futjen e autobusëve në brendi. Janë menduar edhe detajet dhe tifozët e dinë që ky projekt është funksional dhe punimet deri tani kanë ecur mirë e po shkojnë drejt përfundimit. Për të licencuar stadiumin e ri do të vijnë zyrtarët e UEFA-s dhe ne besojmë se punimi me standarde dhe parametrat ndërkombëtarë do të lejojnë që impianti të certifikohet shumë shpejt. Kuptohet, mund të kemi edhe direktiva, ndonjë sugjerim nga ekspertët e UEFA-s, por nuk vihet në diskutim që Partizani do të ketë mundësinë të luajë ndeshjet e tij ndërkombëtare paraeliminatore në këtë kompleks”, tha Burba.

Ristrukturimi i Akademisë, ja si Partizani synon të rikthehet në superfuqi e futbollit shqiptar

Partizani ka akademinë e tij të futbollit. Ndoshta klubi nuk e ka forcën që kishte para vitit 1990, ndoshta as masivitetin dhe përkujdesjen shtetërore, por investimi i Gazmend Demit dhe menaxhimi i Olsi Ramës kanë dhënë efekte mjaft pozitive gjatë viteve të fundit. Nëpërmjet një fotografie, e cila gjendet e varur në një nga zyrat e selisë së klubit, Ranxhi na tregon ekipin U-19 të edicionit 2014-2015. Një pjesë e madhe e futbollistëve të kësaj moshe janë sot në gjirin e shumë skuadrave të Superiores e të Kategorisë së Parë, madje një prej tyre, Jurgen Bardhi, është pjesë e Partizanit elitar, duke dëshmuar se akademia e Partizanit e ka potencialin të prodhojë elementë cilësorë. Por është fakt që Partizani ka vuajtur mungesën e shtëpisë së tij edhe në këtë drejtim, pasi ka munguar një menaxhim efikas me skuadra të shpërndara andej-këtej, prandaj sekretari Burba thotë se me ndërtimin e kompleksit do të rritet edhe fuqia prodhuese e klubit nga moshat, do të përmirësohet cilësia dhe Partizani ka premisa të jetë një superfuqi e futbollit shqiptar edhe në këtë drejtim në vitet në vazhdim. Por që të ndodhë kjo nevojitet një riorganizim i akademisë së klubit të kuq. “Pasi të ndërtohet kompleksi ne mendojmë të përtërijmë akademinë nëpërmjet një strategjie të re. Do të ketë një ristrukturim të moshave dhe besojmë se dy fushat e tjera, përveç asaj të stadiumit, do të na ndihmojnë në këtë projekt. Nuk mund të themi se kemi një strategji nëpër duar, por besojmë se do ta ndërtojmë hap pas hapi në varësi të kompleksit dhe rrethanave të reja që do të na krijohen”, vijoi më tej Burba. Kujtojmë se gjatë viteve të fundit Partizani ka fituar disa trofe me skuadrën U-19, një sinjal domethënës që ekipi i parë mund të bazohet nga prodhimtaria e akademisë, pra nga moshat e tij. Madje, sipas të dhënave, 40% e akademisë së Partizanit furnizojnë ekipet e Superligës.

Liga Profesioniste dhe rezervat e Partizanit

Interesimit tonë për pozicionin që mban Partizani në raport me Federatën Shqiptare të Futbollit, në lidhje me atë që quhet Ligë Profesioniste, e cila deri tani ka dështuar të gjejë zbatim, sekretari i përgjithshëm i klubit, Gerald Burba, iu përgjigj prerë: “Liga deri tani ka dështuar, pasi ajo nuk ka kompetencë. Ne si klub nuk jemi kundër ligës, përkundrazi, kemi shprehur miratimin tonë, por Partizani ka shprehur me shkrim rezervat e tij. Dhe këto rezerva ne i kemi shprehur për mënyrën se si është konceptuar kjo ligë”, thotë Burba. Më pas ai radhit disa detaje ku nuk gjendet kompromis, duke qenë tërësisht i qartë sa i takon interesit që ka klubi i tij e që besohet janë në interes të të gjithë klubeve. “Partizani ka propozuar që Komisionet e Disiplinës dhe organizimi i ligës të jenë ekskluzivitet i Ligës Profesioniste, por FSHF ka dalë kundër. Deri tani federata ka mbajtur edhe të drejtën televizive, po liga çfarë përfiton? Këto janë disa prej çështjeve që na ndajnë, ose më saktë federata nuk pranon t’ia japë ligës”, vijoi Burba.

Humbja e derbit, prishja e balancës me stafin e vjetër dhe rivaliteti me Tiranën

Tirana nuk fitonte me Partizanin prej shumë vitesh, deri sa në dhjetor arriti më në fund të fitonte 2-1. Në ambientet e Partizanit lëshojnë batuta për këtë, duke thënë se “1 herë në 6 vjet edhe ata kanë të drejtë të fitojnë”. Një batutë e bukur që shpreh rivalitet të thellë, por edhe një farë respekti mes kundërshtarësh. Por derbi i fundit u ka lënë një shije të hidhur jo vetëm për “sikletin” e krijuar nga rezultati, por edhe për sjelljen e tifozerisë kundërshtare. “Ne e konceptuam ndeshjen derbi në stadiumin e ri kombëtar si një solidaritet me të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Dhe besoj u treguam korrektë, pasi mesazhet tona përputheshin me këtë objektiv”, thekson shkurt zëdhënësi për shtyp Ranxhi.

Partizani me filozofi futbollistike nga shkolla italiane

Pas humbjes së derbit, largimi i Franko Lerdës ishte i pashmangshëm. Por të kuqtë morën në vend të tij një tjetër italian, Adolfo Sormanin. Në fillim sekretari Burba flet pikërisht për Sormanin. “Këtë vit ne kemi investuar më shumë sesa sezoni i kaluar dhe prisnim nga skuadra më shumë. Por diçka nuk funksionoi si duhet, prandaj ndryshuam edhe staf, duke afruar Sormanin. Ai e njeh klubin, nuk është i ri këtu. Ka mbështetjen tonë, paçka se çdo trajner ka skemat e veta taktike. Një staf italian në krye të skuadrës nuk është rastësor, pasi kjo ka qenë një strategji e klubit në plan afatgjatë për të ngritur Partizanin në nivel të lartë dhe në kushte profesioniste. Sidoqoftë, ne kemi objektiv titullin dhe jemi plotësisht në garë për këtë”, tha ai. Burba nuk lë jashtë vëmendjes as merkaton dimërore, duke iu përmbajtur asaj që ka deklaruar vazhdimisht klubi, që nuk do të ketë shumë lëvizje. “Maksimumi do të afrojmë 2-3 elementë cilësorë, që do të jenë në funksion të grupit aktual. Mund të jenë edhe të huaj”, nënvizoi sekretari Burba.

Financat, futbolli shqiptar nuk gjeneron të ardhura të mjaftueshme

Futbolli shqiptar ka vështirësitë e tij, kjo dihet, dhe në këtë histori nuk bën përjashtim Partizani. Mangësia qëndron në faktin se futbolli ynë nuk gjeneron shumë të ardhura. Kjo pasi shumica e ndeshjeve nuk kanë shumë spektatorë dhe marketingu ende nuk është në nivelin europian. Për këtë arsye të ardhurat përfshijnë të drejtën televizive që u akordohet nga FSHF e që për Partizanin është 70 mijë euro në vit. Të ardhura të tjera janë nga pjesëmarrja në kupat e Europës, nga biletat dhe nga marketingu. Kështu që Gaz Demi nxjerr para nga xhepi për të mbajtur këtë gjigant të futbollit shqiptar (Partizanin).

Tifozët, krenaria e padiskutueshme e Partizanit

Në këtë fund, nuk mund të lihen pa përmendur tifozët e kuq dhe grupimet e shumta të tifozëve të kësaj skuadre, ku spikasin “Guerrils”-at. Partizani ka tifozerinë më të madhe në Shqipëri, për shkaqe që dihen tashmë. Kjo tifozeri nuk e ka braktisur asnjëherë Partizanin. Ata janë pjesë e fortë e suksesit të viteve të fundit. “Kemi një tifozeri të shkëlqyer, që na mbështet në të mirë e në të keq. Derbi i fundit me Tiranën e tregoi qartë këtë”, theksoi Burba. Ndërsa për ta mbyllur, duke qenë se formula e garës ofron shumë duele derbi në një sezon e përplasjet vijnë shpejt, zëdhënësi Ranxhi komentoi: “Nuk jemi armiq me Tiranën, ajo mbetet thjesht rivalja jonë historike”. /sot.com.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Sport

Kapiteni serb i Laçit: Ja çfarë do bëjmë nëse kampionati nuk nis deri më 1 qershor

Publikuar

-

Nga

Aleksandar Ignjatoviç ndien mall për futbollin. Shëndeti realisht ka rëndësi, e megjithatë mendon se ka ardhur koha që t’u rikthehen fushave. Kapiteni i Laçit në tri ndeshjet e fundit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” rrëfen se karantinën po e kalon në Tiranë dhe se stërvitjen nuk e ka lënë asnjë ditë pas dore, […]

LEXO TE PLOTE

Sport

U largua nga Partizani në janar, flet mesfushori: Këtu ka më shumë dele se njerëz, do rikthehem në Shqipëri

Publikuar

-

Nga

Alesio Hyseni kaloi një periudhë të vështirë te Partizani, teksa në janar vendosi të largohet nga të kuqtë, duke kaluar te skuadra e Klaksvik, në Ishujt Faroe, në formën e huazimit. Në një prononcim të dhënë së fundmi, mesfushori u shpreh se më mirë është ndjerë te Flamurtari, për shkak se aty ka luajtur më […]

LEXO TE PLOTE

Sport

Mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FSHF, zbulohet çfarë u diskutua

Publikuar

-

Nga

U zhvillua ditën e sotme mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Mbledhja e sotme, për herë të parë, u zhvillua përmes video-konferencës, në respektim të rregullave të distancimit fizik që kërkohet për shkak të përhapjes së Covid-19 në vendin tonë. Komiteti Ekzekutiv diskutoi në lidhje me situatën e krijuar në […]

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: