Sport
Boks/ Tyson Fury rikthehet kampion bote, mund me “KO” amerikanin Wilder

Tyson Fury është kampioni i ri i botës në peshën e rëndë, pas fitores me “KO teknik” në raundin e shtatë ndaj Deontay Wilder, sfidë e zhvilluar në Las Vegas. Një triumf i merituar i boksierit britanik, që rikthehet kampion bote në këtë Divizion, duke marrë titullin e kategorisë WBC. Një sfidë e dominuar nga Fury (30 fitore e 1 barazim), i pamposhtur në ring, ndërsa për boksierin amerikan kjo është humbja e parë në karrierë (ka edhe 42 fitore e 1 barazim). Tyson Fury rikthehet kampion bote, në një duel të dominuar totalisht në ring.
Fury e komandoi këtë sfidë në të 7 raundet, teksa e hodhi dy herë rivalin në tapet para se gjyqtari ta ndalte atë: Në raundin e 3-të dhe të 5-të. Wilder dukej i lodhur dhe pa ide, ndërsa Fury ishte tepër agresiv, duke evituar grushtet e rivalit amerikan. Britaniku e lodhi shpejt Wilder, që nuk ishte në gjendje të grushtonte, ndërsa Fury e vuri nën presion, duke grushtuar fort dhe në raundin e shtatë triumfoi. Wilder dorëzon kështu titullin.
Wilder pësoi edhe një dëmtim në veshin e majtë në këtë sfidë, nga ku dilte gjak. Ndërsa Fury nuk pësoi asnjë të gërvishtur, duke treguar se ishte në formë të shkëlqyer dhe se taktika e tij për ta sulmuar rivalin që në start ishte e duhura. Britaniku dhuroi spektakël edhe pas duelit, duke kënduar në ring, duke bërë për vete të gjithë publikun. Kjo ishte sfida e dytë mes dy boksierëve, pasi dueli i parë (dhjetor 2018) u mbyll në barazim.
Tyson Fury you beautiful awkward looking king #WilderFury2 pic.twitter.com/d9LblCY0w6
— Dylan (@Dylangonzalez21) February 23, 2020