Sport
Ansi Agolli nuk e njeh plakjen, ja çfarë po ndodh me ish-kapitenin e Shqipërisë

Ansi Agolli la pas shumë kohësh Karabakun vitin e kaluar dhe vendosi të bashkohet me familjen në Amerikë, duke firmosur me skuadrën e Nju Jork Kozmos. 37-vjeçari ka arritur të jetë vendimtar për ekipin në sezonin e shkuar dhe pritet të rinovojë edhe për një tjetër sezon me ta. Në Shtetet e Bashkuara skuadrat ndryshojnë pjesën më të madhe të lojtarëve çdo sezon dhe rinovojnë vetëm më një pjesë të vogël të atyre që kanë bërë mirë.
Një nga ata është edhe Ansi, që nga ana e tij ka shprehur dëshirën të vazhdojë të luajë për Kozmos. Ai deklaron se ndien se mund të japë akoma për këtë ekip. “Ndjehem sikur mund të ja akoma më shumë për këtë ekip. Pra, kur i keni këto ndjenja të mira dhe jeni i përkushtuar, profesional dhe i disiplinuar, mund të stërviteni mirë dhe të mbani veten në gjendje të mirë. Atëherë mund ta jepni veten për ekipin. Unë mendoj se mund të jap më shumë për këtë ekip që të arrijë objektivat e tij këtë vit”, u shpreh ish-kapiteni i kombëtares sonë.
Edhe drejtuesit e skuadrës kanë shprehur dëshirën të rinovojnë me Ansin. Drejtori teknik i ekipit, Karlos Mendes tha se dëshiron që Agolli të vazhdojë të luajë për Kozmos. “Patjetër që dëshirojmë të negociojmë me Ansin. Ai ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën në sezonin e shkuar. Ne na pëlqen roli udhëheqës i tij dhe mentaliteti që sjell në ekip. Ai ngre nivelin, sjell mentalitetin profesional. Është e rëndësishme, veçanërisht për disa nga këta djem të rinj që po kërkojnë të bëhen lojtarë profesionistë”, u shpreh përfaqësuesi i klubit.