Sport
Titulli një utopi, Partizani tashmë rrezikon seriozisht Europën

“Është më e vështirë ta mbash trofeun sesa ta fitosh”. Një shprehje që ka lindur që kur sporti u shndërrua në një nga elementët kryesorë në jetën e njeriut. Partizani, qw sezonin e shkuar ripërjetoi pas 26 vitesh emocionet e një titulli kampion, duket se nuk do të ketë më mundësinë të entuziazmohet sërish me trofeun në duar në muajin maj.
Humbja ndaj Teutës, e dyta në këtë sezon kundër “Djemve të Detit”, ka bërë që diferenca me rivalët e përjetshëm të Tiranës të zgjatet në 12 pikë. Matematika pranon gjithçka, madje pranon edhe qëndrimin e Flamurtarit në Superiore, por realiteti thotë që është jashtëzakonisht e vështirë të rikuperohen kaq shumë pikë në 11 ndeshje.
Tashmë shënjestra duhet ndryshuar dhe të drejtohet tek pjesëmarrja në Europë, e cila mund të vijë vetëm nëpërmjet kampionatit, sepse në Kupë të kuqtë u eliminuan në mënyrë befasueses nga Besëlidhja e Kategorisë së Parë. Se çfarë ndodhi që kjo skuadër, e cila edicionin e shkuar në të njëjtën pikë të sezonit kishte 15 pikë më shumë sesa ka sot, nuk ia doli të përsëriste të njëjtën paraqitje, u takon drejtuesve ta analizojnë. Për momentin, një vend në kualifikueset e Europa League është i vetmi trofe virtual që mund të sigurojë ekipi i Adolfo Sormanit.