Sport
Tirana e shkarkoi, ish-trajneri i dërgon shkresë FSHF-së për borxhet

Ardian Mema nuk është më trajneri i Tiranës, ama para disa ditësh ai ka njoftuar federatën për marrëdhënien e tij me bardheblutë. Kështu, zyrtarisht federata ka bërë me dije se ish-trajneri i bardhebluve ka depozituar një njoftim ku vë në dijeni FSHF-në se ai nuk është paguar nga klubi Tirana.
Të njëjtën letër ua ka dërguar edhe bardhebluve. Duhet të saktësojmë se shkresa nuk është kërkesë për gjyq apo kërkesë për paratë, por vetëm njoftim dhe një procedurë që duhet të bëhet nga palët në marrëveshje. Kujtojmë se Mema u largua me konsensus nga Tirana, pas nëntë javësh kampionat. KF Tirana dhe trajneri ndërprenë bashkëpunimin pas humbjes me Bylisin, rezultat i cili vinte pas disa ulje ngritjeve.
Nuk kishte shkarkim apo dorëheqje të prerë, por një marrëveshje me konsensus, që Mema të mos vijonte më të ishte trajner i kryeqytetasve. Sipas marrëveshjes, kontrata e vjetër është revokuar, ndërkohë që është arritur një marrëveshje me shkrim ku Tirana duhet ta paguajë trajnerin deri në mars 2020. Më saktë, palët kanë arritur një marrëveshje ku Tirana do të nxjerrë nga arkat e saj disa milionë lekë të vjetër. Për t’u shënuar është fakti se Tirana do të paguajë tre trajnerë deri në mars. Egbonë, Ahmatajn dhe Memën.