Kombëtare
U dëmtua dhe pësoi autogol, fati i shpall “luftë” portierit shqiptar

Elhan Kastrati ka qenë me të vërtetë i pafat sot në Serinë B, ku tashmë po mbron portën e Trapanit. Ish-portieri i Shpresave me një të kaluar edhe në kampionatin shqiptar me Teutën, nuk ia doli që të siguronte një tjetër fitore për ekipin e tij, pasi Trapani që lufton për mbijetesën u ndal në një barazim 1-1 përballë Empolit në fushën e këtij të fundit.
Por për portierin shqiptar, kjo kishte një shije më të hidhur, për mënyrën se si erdhi ky barazim. Në ndeshjen e tij të parë si titullar me Trapanin, ai kishte parë ekipin të fitonte 4-1 ndaj Entelës dhe dukej se skuadra po merrte fitoren e dytë radhazi duke hedhur hapa të rëndësishëm drejt mbijetesës. Rezultati ishte 1-0 për ekipin e shqiptarit deri në minutat e fundit pas një ndeshje të dominuar, por pikërisht në këto çaste erdhi episodi i parë i pafat, kur ai u përplas me një kundërshtar dhe pësoi një dëmtim.
Portieri shtrëngoi dhëmbët dhe u kthye në fushë mes dhimbjeve. Por në goditjen nga këndi pasardhëse, Paljarulo shënoi autogol duke barazuar shifrat kur shënohej minuta e 87 e takimit. Kastrati provoi të qëndrone në fushë deri në fund por nuk ia doli dhe në shtesën e ndeshjes u zëvendësua, si pasojë e këtij dëmtimi që mund ta lërë jashtë fushave të lojës në ndeshjet e radhës të klubit të tij.