Seria A
U diagnostikua me “Coronavirus”/ Ylli i Juventusit reagon tamam si një kampion bote

Pas lajmit për “pozitivitetin” e tij ndaj “Coronavirus”, Blaise Matuidi bën që zëri i tij të dëgjohet përmes rrjeteve sociale, me një mesazh shprese. Mesfushori francez, lojtari i dytë pozitiv i Juventusit, pas Rugani, i siguron të gjithë për shëndetin e tij: “Unë jam një bartës asimptomatik i virusit, i vetëdijshëm se kam privilegjin e futbollistit profesionist dhe për këtë arsye përfitoj nga monitorimi i rregullt dhe i shkëlqyer i shëndetit. Nëse nuk do të kisha qenë i tillë, mbase nuk do ta dija kurrë se isha prekur. Jam i fortë, morali im është aq i lartë, sa ai i familjes sime”.
Matuidi i inkurajon të gjithë që të mendojnë pozitivisht në funksion të së ardhmes, me bindje se ky moment do të tejkalohet: “Zakonisht më pëlqen të mos mendoj se jam pozitiv. Jam një person që përpiqem të rrezatoj ndjenja të mira rreth vetes, te familja, miqtë dhe shokët e mi. Jam optimist se do të dalim kolektivisht më të fortë nga ky test, i cili do të na mësojë ta njohim këtë botë më mirë, të jemi më mbështetës, më bujarë, më të mirë”.
Në fund, lojtari i Juventusit bën një apel për të gjithë, që të respektojnë rregullat e autoriteteve për të shmangur ngjitjen dhe përhapjen e virusit: “Të mbetemi të disiplinuar dhe të bashkuar, në mënyrë që së shpejti të kthehemi të përkëdhelim fëmijët tanë, duke përqafuar prindërit tanë, duke shtrënguar duart me vëllezërit dhe motrat tona dhe duke festuar golat me shokët tanë. Unë jam optimist, do t’ia dalim”.