Sport
Frikë nga virusi, flet arbitri shqiptar: I lutem ambasadës për akomodim

E gjithë bota po kalon një situatë anormale. Frikë, viktima dhe me mijëra njerëz të prekur nga koronavirusi. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur pandemic virusin Covid-19. Mirëpo, frika nga përhapja e këtij virusi ka bërë që shumë shtete në Europë të marrin masa ekstreme, duke mbyllur kufijtë dhe aeroportet.
Kjo ka sjell së fundmi edhe vështirësi në lëvizjen e udhëtarëve. Shumë linja kanë bllokuar fluturimet e tyre dhe së fundmi e ka pësuar prej tyre arbitri i Kategorisë Superiore, Klajdi Kola.
Gjyqtari nga Vlora, në një bisedë për “Panorama Sport” sot në orën 19:30, tregoi situatën që po kalon dhe sorollatjen nëpër institucione, zyra konsullore dhe kontaktet me autoritetet shqiptare. I ndodhur në aeroportin e Franfurtit, Kola pret një përgjigje nga institucionet për t’u kthyer në Shqipëri.
Klajdi, mësuar se keni mbetur në Gjermani dhe nuk ktheheni dot. Së pari si jeni me shëndet?
Mirë jam. E vërteta është që kam mbetur në aeroportin e Frankfurtit.
Foto e dërguar nga vetë gjyqtari Kola për “Panorama Sport” në aeroportin e Frankfurtit në orën 19:30
Me cilin jeni?
Jam vetëm.
Çfarë itinerari kishit dhe pse ngecët në qytetin gjerman?
Kisha një biletë me itenerarin Kopenhagen-Vjenë-Tiranë. Ma anuloi Vjena dhe më dërgoi në itenerarin Kopenhagen-Frankfurt-Beograd-Tiranë.
Çfarë bëtë më pas?
Erdha këtu në Frankfurt nga Kopenhageni dhe sa do të bëja “Check-in” për të fluturuar në Beograd, më thanë se janë mbyllur kufijtë e Serbisë.
Cila ishte zgjidhja që iu dhanë?
Asnjë zgjidhje. Kjo është dramë! Fluturime të tjera nuk ka. Kam dy ditë këtu. Mbrëmë kam gjetur një hotel pranë aeroportit që kishte edhe çmime të përballueshme.
Sa keni shpenzuar nga ky bllokim në aeroport?
Shumë. Merreni me mend që kam dy ditë në aeroport. Çmimet e hoteleve nisin nga 60 euro më i liri. Nejse…
A keni biseduar me autoritetet shqiptare në Frankfurt?
Kam kontaktuar me ambasadën tonë këtu në Frankfurt.
Çfarë ju thanë?
Më thanë vetëm që do të mbetemi në kontakt. Në fakt ka dy ditë pa përgjigje apo zgjidhje. Kam shpresë për një fluturim të hënën.
A keni një thirrje për autoritetet?
Deri ditën e hënë që unë shpresoj të ketë fluturim, do t’i lutesha ambasadës tonë ose autoriteteve që të na hjejnë një akomodim. Mbase ambasada i ka mundësitë të na gjejë një zgjidhje për këto ditë derisa të ketë një zgjidhje për ne.
Thatë që jam vetëm, por tani thoni ne. Ka edhe shqiptarë të tjerë aty me ju?
Po. Shumë. Është vërtetë një situatë e jashtëzakonshme. Jemi të gjithë me të njëjtin problem. Duam vetëm akomodim deri në momentin që do të ketë zgjidhje me fluturimet.
A keni frikë për koronavirusin?
Shumë. Vërtetë shumë. Mos harroni, ndodhem në aeroport… imagjinojeni vetë fluksin e lëvizjeve në një aeroport si i Frankfurtit… Mundohem që t’ju qëndroj njerëzve dy apo 3 metra larg.