Sport
“Tirana e meriton titullin”/ Albi Doka ka një kërkesë për FSHF-në

Albi Doka është një lojtar tjetër i Tiranës, i izoluar në shtëpi. Futbollisti prej kohësh është aktiv në rrjetet sociale, duke postuar plot foto, video e mesazhe. Për “Panorama Sport”, mbrojtësi i djathtë i bardhebluve flet për gjendjen aktuale, stërvitjen në këto kohë goxha të sikletshme për të gjithë. Doka tregon përgatitjet në kushtet e shtëpisë si dhe thotë se i mungon futbolli dhe Tirana e tij.
Situata – “Për momentin të gjithë jemi mirë. Uroj që edhe të gjithë shqiptarët të jenë mirë. Jemi brenda në kushtet e izolimit. Po punoj në kushtet e shtëpisë. Me ato vegla që kemi dhe në kushtet që kemi. Nuk po i lëmë gjë mangët stërvitjes”.
Mungesa – “Të qëndrosh brenda katër mureve është shumë e vështirë. Më mungon futbolli që e kam pasion, por mbi të gjitha më mungon Tirana. Është një nga ato mungesa të mëdha. Mezi pres të rikthehemi në fushën e lojës. Duam të kthehemi sa më shpejt që të rikthejmë titullin kampion në familjen bardheblu”.
Titulli – “Përsa i përke titullit duhet të them një gjë të rëndësishme. Është Tirana ajo që e meriton titullin, nëse këtë sezon nuk luhet më futboll. Kemi fituar në fushë dhe nuk mund të na mohohet”.
Idetë – Në lidhje me idetë për një play-off, nuk mund të them gjë, sepse i takon federatës të vendosë. Di të them që ne duam të shpërblehemi për djersën tonë. Duam që të marrim djersën tonë, pa na bërë askush nder”.