La Liga
Kaloi Kazorlën dhe po ndjek Iskon, mund të bëhet goleadori i dekadës

Koronavirusi ndali atë që ishte një sezon shumë i mirë i Armando Sadikut në radhët e Malagas. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka shënuar deri tani 10 gola me klubin të cilit iu bashkua në huazim nga Levante, e me të cilin shpreson që të mbyllë këtë sezon, e pse jo, të vazhdojë edhe më tej karrierën. Ai është kthyer që tani në një nga idhujt e tifozerisë, pasi shënon me rregullsi të admirueshme.
10 gola në një sezon mund të duken pak, por në fakt në dekadën e fundit, shifra të tilla janë parë rrallëherë në këtë klub. Që kur klubin e bleu Sheiku Al Thani, në vitin 2010, rezulton se Sadiku ka qenë ndër golashënuesit me rendimentin më të mirë e nuk është rastësi që te Malaga do të donin të zgjatnin marrëveshjen me të.
Që tani ai ka shënuar më shumë se sa emra të njohur si Isko e Kazorla në një sezon, pasi të dy kanë realizuar nga 9 gola, ndërsa më shumë se ai kanë tundur rrjetën vetëm Rondon (14), Sandro (13), Seba (12) dhe Çarls (11). Me pak fjalë, Sadikut i mjaftojnë vetëm 5 gola në ndeshjet e mbetura në La Liga 2, për të qenë sulmuesi më rezultativ brenda një sezoni me fanellën e Malagas në dekadën e fundit.
Ndërkohë, rekordi i golave në total i kësaj skuadre për dekadën i përket Rondon, me 25 gola të shënuar në 2 edicione në këtë klub. Pas tij janë Roke Santa Kruz (20), Adrian (19), Huanmi (18), Kamaço (16), Isko dhe Çarls (14), Sandro (13) dhe Seba Fernandez (12). Disa nga emrat Sadiku mund t’i kalojë që këtë sezon nëse kthehet në fushë me formën që kishte para ndalesës, ndërsa për të arritur majën e këtij klasifikimi të dekadës, do t’i duhet që kontratën e tij të huazimit, ta kthejë në atë të një transferimi afatgjatë. /vipsport.al/