Seria A
Napoli lë me gisht në gojë Interin, bën super ofertë për Marash Kumbullën

Gara për Marash Kumbullën fillon të ndizet pa nisur merkato e verës. Klubet kanë filluar të bëjnë oferta konkrete që tani për mbrojtësin, pasi duan të rrëmbejnë atë nga radhët e Veronës, e cila është e hapur ndaj negociatave për të.
Fillimisht mendohej se mbrojtësi shqiptar ishte nisur drejt Interit, pasi zikaltërit janë destinacioni i tij i preferuar dhe kishte një akord mes klubeve për transferimin. Por sipas “L’Arena”, gazetë e qytetit të Veronës, Napoli është kthyer fuqishëm në garë për të siguruar Kumbullën. Oferta që De Laurentis ka bërë për homologun e tij është një prej atyre që vështirë se mund të refuzohen, pasi parashikon pagesën direkte të një shifre relativisht të lartë, pa tentuar lojtarë si shkëmbim apo huazim për të ulur vlerën.
Napoli ka vlerësuar Kumbullën 28 milionë euro, një shifër shumë e lartë për një lojtar thuajse të panjohur për opinionin e përgjithshëm deri në muajin gusht. Ofertë tunduese për Veronën dhe që kalon atë të Interit, që përfshinte rreth 20 milionë euro dhe dy lojtarë të dhënë në huazim. Tani mbetet të bindet Kumbulla, i cili si prioritet kryesor ka vendosur të zgjedhë një klub i cili t’i japë mundësinë të luajë më rregullisht dhe duhet të vlerësojë nëse ka mundësinë ta bëjë një gjë të tillë te Napoli. /vipsport.al/