Sport
Start i fuqishëm, Nexhipi zbardh planin e Kukësit: E parakalojmë Tiranën…

Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të pezullonte të gjitha aktivitetet futbollistike në vend që më 12 mars. Kanë kaluar 53 ditë nga ajo datë dhe ende nuk ka një përcaktim se kur Superiorja do ta ngrejë siparin. Megjithatë, pavarësisht situatës së paqartë, drejtuesit e Kukësit e kanë një plan që duan ta vënë në jetë ditët në vijim.
DEKLARATA – Drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, zbardh planin e nënkampionëve për rinisjen e stërvitjes, që në mënyrë që skuadra të jetë gati kur të rinisë kampionati. “E rëndësishme për ne është të kemi sa më shpejt në Tiranë sulmuesin Vasil Shkurtajn, i cili ndodhet në Barcelonë prej kohësh, por edhe mesfushorin Vesel Limajn, i cili ndodhet në Berlin.
Po tentojmë t’i sjellim sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi edhe Musollin, Avdylin dhe Gavazajn në Kosovë, si dhe Maliqin dhe Ethemin nga Maqedonia e Veriut. Normalisht, të gjithë do të karantinohen kur të vijnë në Shqipëri, duke zbatuar me përpikëri urdhrat e qeverisë dhe institucioneve përkatëse. Shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë dhe shteti të vendosë të na lejojë të kryejmë stërvitje.
Nga data 5 maj mund të rinisim stërvitjen dhe më pas do të presim kampionatin. Nëse shkon çdo gjë në rregull, besoj se do të vazhdojmë stërvitjen me grupin. Do kemi 2-3 javë grumbullim në Elbasan dhe prapë pas 15- 20 ditësh një faze minipërgatitore, duke shpresuar që në fund të majit lojtarët të jenë në formën e duhur. Ky është vetëm një plan që ne dëshirojmë ta zbatojmë, gjithmonë nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve. Para se të bëhen të gjitha këto, uroj që çdo njeri i sportit e të gjithë shqiptarët ta kalojnë sa me lehtë këtë pandemi, që ka prekur çdo aspekt të jetës njerëzore dhe sportive”, shprehet drejtuesi i klubit kuksian, Nexhipi.
TITULLI – Kukësi është në garë me Tiranën për titullin kampion, por javët e fundit kjo skuadër rivale është shkëputur me 9 pikë. Drejtori Nexhipi nuk dorëzohet dhe ka shumë besim te skuadra e tij. Për shkak të ndërprerjes së gjatë të kampionatit disa lojtarë të rëndësishëm i kanë kaluar plotësisht dëmtimet dhe ky do të jetë një plus për Kukësin.
“Shpresa kemi shumë, ka 10 javë deri në fund dhe derisa matematika e lejon, do të tentojmë titullin. Siç ishim ne para Tiranës dhe ajo na parakaloi, edhe ne mund ta bëjmë një gjë të tillë. Nisem edhe nga rikuperimi i lojtarëve të rëndësishëm si Musolli, Shkurtaj dhe Musta. Gjithsesi, shpresojmë për më të mirën, ne do të bëjmë gjithçka që të arrijmë objektivat, pastaj në fund bëjmë llogaritë”, përfundon drejtori Nexhipi.
SKERDILAID SULOZEQI –