Sport
FSHF kërkon që ekipet të zbresin në fushë më 2 maj dhe të rinisë futbolli

Futbolli në Shqipëri është pezulluar prej afro 2 muajsh për shkak të pandemisë globale të Koronavirusit.
Në një dokument drejtuar Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirlliu dhe Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, që mban datën 22 prill, Federata Shqiptare e Futbollit propozon që ekipet të zbresin në fushë me 2 maj për të arritur formën fizike dhe më 20 maj të rinisin ndeshjet, sigurisht pa praninë e tifozëve dhe nën masa të rrepta higjieno-sanitare, shkruan “Panorama Sport”.
Ky do të ishte skenari optimal për t’i përfunduar takimet më herët se 3 gushti, data përfundimtare e udhëzuar nga UEFA një ditë më parë. Organi më i lartë i futbollit në vend është i gatshëm të ulet në bisedime për të gjetur momentin më të përshtatshëm për rinisjen e sezonit futbollistik 2019–2020.