Sport
Starova: Rifillimi i futbollit rikthen shpresën, ja pse Shqipëria e ka më të lehtë me koronavirusin

Sulejman Starova “zbret në fushë”. Trajneri kampion me Partizanin dhe Tiranën, por edhe drejtues në FSHF për shumë vite, mendon se qëllimi kryesor në këtë situatë kritike është që të shpëtojë futbolli, në mënyrë që klubet të mos falimentojnë pas asaj që solli pandemia.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, fillimisht Starova prek ndeshjen e famshme të majit 1996, kur Partizani i prishi punë Teutës dhe titullin e fitoi Tirana. Më pas “Bobi” bën edhe një analizë “gjakftohtë” për skenarët e rifillimit të kampionatit në këto kushte.
Profesor, si po ju shkon karantina?
U mësuam tani, s’kemi çfarë të bëjmë. Dalim pak për ajër e më pas në shtëpi.
Po shkon rreth një muaj e gjysmë që nuk po luhet më futboll prej ndërprerjes nga Koronavirusi. Çfarë prisni të ndodhë dhe si mund të vazhdojë kampionati pas qetësimit të situatës?
Shikoni, së pari UEFA, sado të bëjë planifikime, është e pafuqishme në këtë situatë, sepse në fund do të vendosin nëse do të luhet apo jo futboll qeveritë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Këtu është punë shëndeti dhe pandemie, kështu që gjërat janë shumë serioze. Megjithatë, në syrin tim ideale do të ishte që kampionati shqiptar të riniste brenda muajit maj.
Pse e quani ideale?
Sepse me dy javë stërvitje dhe më pas me rifillim të kampionatit, do të shpëtonte në njëfarë mënyre anën ekonomike të klubeve, sepse kjo punë ka të bëjë edhe me pagat. Ka shumë rëndësi ky aspekt dhe shembulli është kur një njeriu yt bën një aksident. Kur e mëson që atij i ka shpëtuar koka, pastaj nis dhe interesohesh për makinën, është prishur shumë apo jo. Me këtë dua të them që edhe ne tashmë, pasi të kalojmë këtë situatë, atëherë do të nisim të pyesim për anën ekonomike. Fillimisht është halli i kokës e më pas vjen ekonomia.
Duhet ta shpëtojmë këtë kampionat. Ishalla e shpëtojmë… Tashmë ta kuptojnë të gjithë, që nuk do të bëhet më për spektakël. Edhe nëse rinis, natyrisht do të bëhet pa praninë e tifozëve. Mirëpo, të paktën sportdashësit do të kenë kënaqësinë që të ndjekin ndeshjet nga TV. Pra, i gjithë qëllimi kryesor është që të shpëtojë futbolli, në mënyrë që skuadrat të mos falimentojnë dhe të rregullohen gradualisht nga ana ekonomike. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë situatë.
Në një situatë të tillë, cilat janë rreziqet?
Të gjithë e kanë për herë të parë këtë situatë. Do të vijnë të gjithë nga kushtet e shtëpisë dhe me fillimin në maj, do të bëhej deri diku një kampionat me pak sforco. Mirëpo, nëse zgjat edhe pak pushimi, atëherë është një goditje më pas të bësh tri ndeshje në javë duke ardhur nga dy muaj karantinë. Kjo do të ketë efekte të mëdha psikologjike, sepse pas një periudhe të gjatë i mbyllur, menjëherë dashje pa dashje lojtarët do të futen në ngarkesë dhe nuk dihet se si mund ta përtypin.
Në këto kushte rreziku tjetër është për dëmtime në masë. Gjithsesi, për të mirën e përbashkët është që gara të përfundojë e rregullt. Natyrisht duhet edhe ndonjë modifikim në Kupë, sepse pastaj do të ishte shumë kalendar i ngjeshur. Duke kaluar këtë situatë pa dëmtime dhe me mbylljen e këtij kampionati, gradualisht edhe klubet do ta marrin veten, sepse bëhet fjalë për një sport profesionist. Pa para nuk ka futboll dhe kjo ndikon në jetën e mijëra njerëzve.
Qeveria ka zgjatur edhe gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor. Mos ndoshta kjo e bën edhe më të vështirë rinisjen në maj?
Shikoni, së pari është shëndeti dhe nuk ma do mendja që UEFA ka marrë miratimin e OBSH-së për të nisur kampionatet, paçka se po flitet që Gjermania mund të nisë e para. Ky është një interes i përbashkët në këtë moment. Është diçka e përgjithshme dhe shteti duhet të vendosë, sepse nëse luhet, atëherë fillimisht duhen kryer testet e lojtarëve dhe çdo njeriu që ka lidhje me skuadrat. Duhet kontroll shëndetësor maksimal, sepse tashmë po jetojmë në kushte të reja. Po bashkëjetojmë me virusin dhe këshillat e përditshme janë që të ruhen distancat. Mirëpo, si mund të ruajmë distancat në futboll… (qesh). Minimalisht duhet të kontrollohen të gjithë ata që kanë lidhje me ekipet, nga lojtarët, trajnerët, zyrtarët e klubeve etj. Duhet një mobilizim i jashtëzakonshëm për ta ruajtur futbollin. Unë mendoj se në këtë kolaps global prej pandemisë, Shqipërinë e fus te vendet me fat në botë.
Në ç’kuptim me fat?
Kemi dy muaj që dëgjojmë çdo ditë në TV që në Itali po vdesin nga 600 deri në 1 mijë njerëz çdo 24 orë. Kemi marrë të gjithë më tepër energji negative se ç’duhet në këtë situatë, pasi dashje pa dashje shikojmë çfarë ndodh edhe në botë. Mirëpo, realiteti është që kur mendon të shpëtojë kampionatin Italia dhe Spanja, ku ka mijëra të vdekur, ne si Shqipëri e kemi më të lehtë në këtë situatë që jemi. E kemi shumë të kollajshme në krahasim me këto vende. Gjithsesi, jemi në një moment që nuk bëjmë dot parashikime, edhe pse duke parë çfarë po ndodh, o kemi mundësi ta nisim ne futbollin, o s’ka njeri tjetër.
Nëse gjërat nuk ecin sipas parashikimeve, çfarë duhet të bëjë FSHF?
Nëse e keni fjalën për kampionat në tavolinë apo ndonjë “play off”, mendimi im është se këto janë të shëmtuara. Të gjithë duan ta mbyllin kampionatin, por nuk të lë qeveria dhe organizata botërore, sepse duhet ruajtur shëndeti i njerëzve. Është globale kjo punë dhe në këto kushte nuk të jep dot urdhër UEFA. Nuk ta imponon dot vendimin, sepse vendos qeveria çfarë do të bëhet. E përsëris, është sukses po nisëm kampionatin në maj. Tashmë lind një problem: A është i përgatitur shteti ynë të bëjë testime te të gjithë aktorët e futbollit?!